Home » Files » Agjerimi |
2014-09-06, 7:25 AM | |
Kurani gjatë muajit të Ramazanit ka një ushqim mahnitës për shpirtin dhe imanin. Kurani gjatë muajit të Ramazanit na bën që ta kujtojmë zbritjen e tij ato ditë kur Muhamedi salallahu alejhi ue selem e mësonte me Xhibrilin alejhi selam. Transmetohet në hadithe të vërteta nga Muhamedi salallahu alejhi ue selem se ka thënë mbi vlerën e leximit të Kuranit: “Lexojeni Kuranin, se ai do të vijë ndërmjetësues në Ditën e Kiametit për ithtarët e tij.” (Transmeton Muslimi) Ibën Mesudi transmeton nga Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të: “Kush lexon Kuran, për çdo germë i ka nga dhjetë sevape. Nuk them se elif lam mim është një shkronjë, por elif është shkronjë, lami është shkronjë dhe mimi është shkronjë.” (Tirmidhiu) Uthmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, se ka thënë: “Më i miri prej jush është ai cili e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.” (Buhariu) Lexoni “zehravejn” (suret El-Bekare dhe Ali Imran), ngase këto dyja do të vijnë Ditën e Kiametit sikurse dy re apo si dy grumbuj zogjsh të rreshtuar duke i bërë hije pronarit të tyre Ditën e Kiametit.” Të parët tanë të mirë, kur vinte Ramazani, i hapnin mus’hafët dhe i kushtoheshin vetëm leximit të Kuranit, me endje. Shtëpitë e selefëve gjatë muajit të Ramazanit gumëzhinin si shushurima e bletëve, shndritnin nga Kurani dhe mbusheshin me kënaqësi shpirtërore nga leximi i Kuranit dhe e lexonin atë me texhvid (lexim me të gjitha rregullat, lexim të drejtë e të plotë), ndalonin në çudirat e tij, qanin nga këshillat e tij e gëzoheshin nga përgëzimet e tij, frikësoheshin nga kërcënimet e Tij dhe vepronin sipas urdhrave të tij dhe ndaleshin në kufijtë e tij. A ka mundësi që ne të jetojmë me Kuranin Kerimin në Ramazan, por edhe pas Ramazanit? A thua mund ta kuptojmë madhërinë e këtij libri, që ta mbushim jetën tonë plot kënaqësi me Kuran Kerim dhe që rrugën tonë në errësirë ta ndriçojmë me Kurani Kerimin, që të shkëlqejmë me të? | |
Views: 336 | Downloads: 0 | |